Aktakuza u ngrit nga Departamenti i Krimeve të Rënda. Zyrtarët komunalë D.M., A.K., E.SH. dhe I.H. akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Pronarët e operatorëve ekonomikë XH.K. dhe A.S. akuzohen për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, D.M. dhe A.K., menaxher dhe mbikëqyrës kontrate, tejkaluan detyrat zyrtare. Ata miratuan punime dhe lejuan pagesa prej 29,458.20 euro për rrugë në fshatin Javor, megjithëse rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Këto veprime i mundësuan operatorit ekonomik përfitim prej 9,050 euro dhe i shkaktuan dëm Komunës së Suharekës.

Gjithashtu, E.SH. dhe I.H., në cilësinë e menaxherit dhe mbikëqyrësit të kontratës, aprovuan realizimin e punimeve dhe lejuan pagesa prej 17,124.10 euro për rrugë në Javor dhe Luzhnicë. Ata e bënë këtë edhe pse rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar. Kjo veprimtari i solli operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm prej 6,439.82 euro dhe dëm Komunës së Suharekës.

XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të operatorëve ekonomikë, akuzohen se nuk i realizuan të gjitha punimet e parashikuara me kontrata. Ata paraqitën dokumentacion fals se punimet ishin përfunduar, duke përfituar në mënyrë të paligjshme dhe dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës dënimin e të pandehurve sipas ligjit. Ai kërkoi gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik si dënim plotësues.