Dy aktakuza në mungesë janë ngritur nga Prokuroria Speciale për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Akuzat drejtohen kundër gjashtë ish-gardianëve të burgjeve të Prishtinës dhe Lipjanit, të cilët dyshohen për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë gjatë periudhës së luftës, viteve 1998-1999.

Në rastin e parë, aktakuza është ngritur ndaj J.J. dhe A.S. Sipas Prokurorisë Speciale, këta ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, kanë torturuar dhe kanosur me vrasje të burgosurit shqiptarë. Ata përdornin shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, duke i shkaktuar plagosje deri në alivanosje.

Aktakuza e dytë përfshin katër të pandehura: L.S., D.L., S.A., dhe B.S. Këto ish-gardiane të burgut të grave në Lipjan akuzohen se, në bashkëkryerje me N.C. (tashmë e akuzuar), kanë keqtrajtuar sistematikisht të burgosurat shqiptare. Këto veprime përfshinin tortura çnjerëzore, lëndime trupore dhe dhunë psikike gjatë të njëjtës periudhë lufte.