Aksioni, i zbatuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në bashkëpunim me EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX, u zhvillua nga data 8 deri më 12 qershor 2026. Gjatë kësaj periudhe, u inspektuan 59 lokale të muzikës live dhe 62 qendra masazhi në të gjithë Kosovën.
Nga inspektimet, 10 qendra masazhi dhe 9 lokale të muzikës live u mbyllën për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Në këto ambiente u identifikuan gjithsej 524 persona, prej të cilëve 279 ishin shtetas të huaj.
Gjatë operacionit, u evidentuan shtatë raste të dyshuara për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”, ku u arrestuan shtatë gra – katër nga Shqipëria, një nga Mali i Zi dhe dy nga Kosova. Këto gra u gjetën duke lypur me gjithsej 13 fëmijë, rastet e të cilëve u trajtuan nga Qendrat për Punë Sociale.
Gjithashtu, u regjistruan katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në shërbime eskortash, duke rezultuar në arrestimin e tetë personave: katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja (dy nga Brazili, dy nga Kolumbia). Policia njoftoi se gjatë aksionit nuk u identifikua asnjë rast i trafikimit me qenie njerëzore.