Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në koordinim me EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX, kreu operacionin “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026”. Gjatë kësaj periudhe, u inspektuan 59 lokale muzike live dhe 62 qendra masazhi në të gjithë vendin.
Si rezultat i inspektimeve, 10 qendra masazhi dhe 9 lokale muzike live u mbyllën për shkelje administrative. Këto masa u morën nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Gjatë aksionit, u identifikuan 7 raste të dyshuara për "Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës". Shtatë gra – katër nga Shqipëria, një nga Mali i Zi dhe dy nga Kosova – u arrestuan teksa kërkonin lëmoshë me fëmijët e tyre. Gjithsej 13 fëmijë ishin të përfshirë në këto raste, të cilat u menaxhuan me Qendrat për Punë Sociale.
Katër raste të kundërvajtjes "Marrje me prostitucion" u zbuluan gjithashtu, duke çuar në arrestimin e tetë personave. Prej tyre, katër ishin shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja (dy nga Brazili, dy nga Kolumbia). Policia njoftoi se asnjë rast i trafikimit me njerëz nuk u identifikua gjatë operacionit.