Një ekip nga Mekanizmi për Kontroll Civil, i autorizuar nga Avokati i Popullit, ka nisur një inspektim në Institutin Ndëshkues Korrektues Burgu “Shkup”, i njohur si Burgu i Shutkës. Ky inspektim pason raportimet për kontrolle të dhunshme të kryera nga Njësia për Intervenime e Policisë së Burgjeve.
Sipas informacioneve të marra nga zyra e Avokatit të Popullit, disa persona janë lënduar gjatë këtij kontrolli. Njësia për Intervenime operon nën kompetencën e drejtpërdrejtë të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve. Avokati i Popullit ka premtuar se do të njoftojë opinionin publik sapo të mbledhë dhe konstatojë të gjitha faktet dhe gjendjen aktuale.