Aksioni, i koordinuar me EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX, u fokusua në trafikimin me qenie njerëzore dhe shfrytëzimin e fëmijëve. Operacionet u zhvilluan në rrugë, sheshe, qendra tregtare, lokale muzike live, qendra masazhi dhe lidhur me shërbime eskortash.
Gjatë këtij plani operativ, i emërtuar ‘Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026 – Qershor 2026’, u inspektuan 59 lokale me muzikë live në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Këtu u gjetën 420 persona, prej të cilëve 317 femra dhe 109 meshkuj. Nga këta, 186 ishin shtetas të Kosovës dhe 234 shtetas të huaj, shumica dërrmuese (220 femra) shtetase të Shqipërisë.
Inspektorati Qendror i Tregut mbylli nëntë lokale muzike live për shkelje administrative. U inspektuan gjithashtu 62 qendra masazhi, ku u hasën 104 persona (89 femra, 15 meshkuj). Prej tyre, 45 ishin shtetase të huaja, përfshirë 23 nga Shqipëria, 17 nga Tajlanda, 3 nga Filipinet dhe 1 nga Malavia. Dhjetë qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative. Gjatë këtyre kontrolleve, nuk u identifikuan raste të trafikimit me njerëz.
Policia arrestoi shtatë gra në rastin e lypjes, katër prej tyre shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës, të gjitha me fëmijët e tyre në rrugë. Tre fëmijë u referuan Qendrave për Punë Sociale për dyshimin e keqtrajtimit ose braktisjes. U regjistruan katër raste të veprës kundërvajtëse “Marrje me prostitucion”, ku u arrestuan tetë persona: katër meshkuj kosovarë dhe katër femra (dy braziliane dhe dy kolumbiane).