Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore realizoi Planin Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026 – Qershor 2026” nga 8 deri më 12 qershor. Ky aksion u koordinua me EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX.
Operacionet u zhvilluan në rrugë, sheshe e qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge, si viktima të mundshme të trafikimit. Gjithashtu, u inspektuan lokale të muzikës live, qendra masazhi dhe u ndërmorën plane taktike për eskorta.
Gjatë aksionit u kontrolluan 59 lokale të muzikës live në të gjithë Kosovën, ku u hasën 420 persona, prej të cilëve 317 femra dhe 109 meshkuj. Nga këto, 186 ishin shtetas të Kosovës dhe 234 shtetas të huaj, përfshirë 220 femra nga Shqipëria. Nëntë lokale të muzikës live u mbyllën për shkelje administrative nga Inspektorati Qendror i Tregut (MINT).
U inspektuan edhe 62 qendra masazhi, ku u gjetën 104 persona, prej tyre 89 femra dhe 15 meshkuj. Dhjetë qendra masazhi u mbyllën gjithashtu për shkelje administrative. Policia deklaroi se nuk u identifikua asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz” gjatë këtyre inspektimeve.
Gjithashtu, u arrestuan shtatë femra për kërkim-lëmoshë, katër prej të cilave shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës, të gjetura me fëmijë në rrugë. Trembëdhjetë fëmijë u trajtuan në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, duke nisur raste për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”.
Katër raste të “Marrjes me Prostitucion” u evidentuan, duke çuar në arrestimin e tetë personave: katër meshkuj kosovarë dhe katër femra (dy nga Brazili, dy nga Kolumbia). Punëtorëve të hasur në këto ambiente iu ofrua mundësia për të deklaruar nëse ishin viktima të shfrytëzimit, por nuk rezultoi me asnjë rast të tillë.