Të paktën tetë murgj kanë humbur jetën pas përplasjes me një automjet, të drejtuar nga një 11-vjeçar. Aksidenti ndodhi në veri-lindje të Tajlandës, në provincën Mukdahan. Pesë murgj vdiqën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë ndërruan jetë në spital.

Guvernatori i Mukdahan, Worrayan Boonnarat, konfirmoi se 14 persona u shtruan në spital, katër prej të cilëve janë në gjendje kritike. Grupi i murgjve, i përbërë nga 35 persona, kishte nisur një pelegrinazh prej 260 kilometrash drejt provincës Ubon Ratchathani rreth 30 minuta para aksidentit.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë murgjit duke ecur në rresht në anë të rrugës, para se automjeti tip kamionçinë t'i përplaste. Policia lokale ka vënë në paraburgim të miturin dhe ai do të merret në pyetje në prani të zyrtarëve të mbrojtjes së fëmijëve. Shkaku i saktë i aksidentit është ende nën hetim, por dëshmitarët thanë se panë automjetin duke devijuar para se të rrëshqiste nga rruga.