VLEN promovoi me bujë themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut. Ky premtim i rëndësishëm i dy viteve më parë ka mbetur i parealizuar. Akademia funksionon si një organizatë joqeveritare, pa asnjë hap konkret drejt institucionalizimit të saj.
Kjo nismë mbështetet financiarisht nga disa komuna të udhëhequra nga kuadro shqiptare. Sipas kryetarit të Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art, Hasan Jashari, këto fonde mbulojnë një pjesë të shpenzimeve, por nuk janë të mjaftueshme për një funksionim të qëndrueshëm. Jashari theksoi nevojën për një zgjidhje afatgjatë, duke sugjeruar tre variante për institucionalizimin: krijimin e një departamenti brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) për çështjet shqiptare, themelimin e një institucioni publik shqiptar me ligj të veçantë përmes Kuvendit, ose themelimin e një institucioni publik për kërkime shkencore nga komunat me shumicë shqiptare.
VLEN nuk i është përgjigjur pyetjeve rreth mosrealizimit të premtimit. Vitin e kaluar, koalicioni deklaroi se nuk kishte marrëveshje me partnerët e qeverisë për institucionalizimin e akademisë. Partitë maqedonase në qeveri, VMRO-DPMNE dhe ZNAM, si dhe ASHAM, e kanë kundërshtuar idenë për Akademinë Shqiptare. Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art u themelua më 29 dhjetor 2021 në Shkup nga një grup profesorësh universitarë.