Gjykata e Apelit në Paris dënoi aktoren Isabelle Adjani me 10 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh. Vendimi u mor pasi ajo u shpall fajtore për evazion fiskal dhe pastrim parash. Ky dënim vjen pas një vendimi të shkallës së parë në dhjetor 2023, ku aktorja u dënua me dy vjet burg me kusht dhe një gjobë prej 250 mijë eurosh.

David Lepidi, një prej avokatëve të Adjani, e cilësoi vendimin si lehtësues, por paralajmëroi se çështja do të apelohet në Gjykatën e Kasacionit. Aktorja 71-vjeçare u akuzua për deklarim të rremë të vendbanimit në Portugali gjatë viteve 2016-2017, fshehje të një kredie në vitin 2013 dhe transferim parash në SHBA në 2014.

Gjatë procesit gjyqësor, Adjani pretendoi se vuan nga “fobia burokratike” dhe akuzoi një zyrtar tatimor për mashtrim. Ajo pranoi se nuk kishte paraqitur kurrë vetë një deklaratë tatimore, duke theksuar se nuk ishte hajdute, por “preja ideale” e mashtrimeve. Prokurori Ralph Boussier argumentoi se Adjani kishte qendrën e interesave në Francë dhe duhej të deklaronte të ardhurat atje.