Aktiviteti festiv u mbajt pranë shtatores së ish-presidentit amerikan Bill Clinton të shtunën. Ky organizim, tashmë tradicional, u zhvillua këtë vit me një format të ri përmes ceremonisë së nderimit të flamurit amerikan.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Gardës së Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative, Njësisë Intervenuese, Njësisë Speciale K9, zjarrfikësve dhe Qendrës së Mjekësisë Emergjente.

Me rastin e jubileut, Shoqata prezantoi një ekspozitë fotografike me imazhe ekskluzive, shoqëruar me mesazhe dedikuese. Po ashtu, qytetarëve iu shpërndanë kartolina të plastifikuara, të përgatitura posaçërisht për këtë përvjetor, me portretet e ish-presidentëve George H. W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush.

Kryetari i Shoqatës Miqësisë së Amerikës, Agim Rexhepi, falënderoi policinë, zjarrfikësit dhe FSK-në për bashkëpunimin. Ai u uroi qytetarëve amerikanë përvjetorin e pavarësisë.