Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se aksionet policore çuan në zbulimin dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike si marihuanë, kokainë, hashash dhe lëndë të tjera pluhuri e të ngurta të panjohura. Të arrestuarit janë kryesisht banorë të këtyre qyteteve dhe fshatrave përreth. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të ngrihen kallëzime penale përkatëse.
Në Shkup u ndaluan shtatë persona, ndërsa në Tetovë dhe Gostivar nga një. Në Kumanovë u arrestuan dy persona, ndërsa në Kriva Pallankë një. Në Radovish, gjithsej tre persona u privuan nga liria, përfshirë një rast me kokainë të zbuluar pas bastisjes në shtëpi dhe një rast me hashash të gjetur në automjet.
Në Manastir dhe Resnjë u arrestuan nga dy persona në secilin qytet, ku në Resnjë u sekuestrua edhe një peshore digjitale. Një person u arrestua në Prilep, gjithashtu me marihuanë dhe peshore digjitale të gjetur. Tre persona u ndaluan në Kërçovë pas një kontrolli automjeti, ku u gjet lëndë pluhuri e bardhë tek njëri prej tyre.