Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se Deklarata e 2 Korrikut ishte një përpjekje e Kosovës për të folur në emër të vet dhe për të kërkuar liri, në një periudhë kur hapësira veprimi ishte e kufizuar. Ajo shtoi se ky akt kundërshtoi synimin e Serbisë për ta lënë Kosovën pa zë politik. Pas 2 Korrikut pasuan shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut, referendumi për pavarësi dhe organizimi i viteve '90, të cilat ndihmuan Kosovën të mbante veten në këmbë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut 1990 si shpallje normuese dhe juridike të Republikës së Kosovës. Ai deklaroi se ky akt hodhi themelet e shtetësisë dhe se pa të, pavarësia e vitit 2008 nuk do të ishte realizuar.
Deklarata Kushtetuese u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë, pasi atyre iu pamundësua hyrja nga autoritetet serbe. Ky akt shpalli Kosovën njësi të barabartë në federatën jugosllave, duke kundërshtuar heqjen e autonomisë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Ajo i hapi rrugën miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990 dhe konsiderohet një nga aktet themeluese të shtetësisë së Kosovës.