Të arrestuarit dyshohen për kontrabandë të derivateve dhe shmangie nga tatimi. Sipas Prokurorisë, Faruk Mazrek drejtonte grupin kriminal. Pasuria e tij besohet se buron nga trafiku i narkotikëve, ndërsa paratë janë futur në sistemin bankar përmes biznesit të tij “PO PETROLL FARIZ” në Mamushë.

Për të fshehur origjinën e fondeve, i dyshuari Faruk Mazrek mori katër kredi dhe filloi të deklaronte qarkullim të madh financiar. Skema përfshinte importin e naftës nga Shqipëria, ku cisternat ngarkoheshin me gjysmën e sasisë së naftës dhe gjysmën tjetër ujë, ndërsa faturoheshin për tërë sasinë e naftës. Kjo mashtrim lejonte regjistrimin e shitjeve fiktive dhe pastrimin e parave përmes transfertave bankare.

Djali i Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, dyshohet se bashkëpunoi në falsifikimin e librave të kontabilitetit. Skender Kelmendi dhe Nisret Bajraktari dyshohen se lëshuan fatura fiktive për blerje derivatesh, duke ndihmuar grupin. Dashnim Miftari, Adem Morina dhe Muhamet Mazrek akuzohen për veprim brenda grupit të organizuar.

Muhamet Mazrek ishte përfshirë në transportin dhe modifikimin e mjeteve. Dashnim Miftari dhe Adem Morina deklaronin importin e sasive të mëdha të naftës përmes Portit Romano në Durrës. Naser Morina shërbente si shofer i cisternave, duke transportuar ujin si naftë, ndërsa Gazmend Qudi dyshohet se modifikoi cisternat me komora sekrete për të fshehur ujin.

Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Vesel Ismaili, duke pretenduar se afati i ndalimit prej 48 orësh kishte kaluar. Kjo kërkesë u refuzua nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dhe seanca vazhdoi.