Nëntë personat e dyshuar akuzohen për mashtrim me tatime, kontrabandim të naftës dhe pastrim parash. Prokuroria thekson se lënia e tyre në liri rrezikon ndikimin te dëshmitarët ose te njëri-tjetri, si dhe pengon zhvillimin e procedurave hetimore.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dyshuarit F.M. dhe F.M., në bashkëpunim me N.M., dyshohet se kanë futur në sistemin bankar para të ardhura nga aktivitete kriminale. Kjo është bërë përmes biznesit të tyre “PO PETROLL FARIZ” në Mamushë, ku nga korriku 2021 deri në fund të 2022 kanë marrë katër kredi në vlerë totale prej 930 mijë euro nga banka “Credins” në Prizren.
Ata dyshohet se kanë simuluar qarkullim të madh financiar nga importi dhe shitja e naftës nga Shqipëria. Cisternat transportonin gjysmën e sasisë së naftës dhe gjysmën ujë, duke e shitur këtë përzierje si naftë të plotë. Librat e kontabilitetit regjistronin shitje fiktive, ndërsa kompanitë blerëse nuk i regjistronin këto blerje, duke fshehur kështu origjinën e parave dhe duke i futur ato në sistemin financiar legal.
S.K. dhe N.B. dyshohen se kanë ndihmuar F.M. dhe F.M. në pastrimin e parave, duke lëshuar fatura fiktive për blerje derivatesh nafte nga “PO PETROLL FARIZ”. Transkriptet e bisedave të 14 dhe 15 qershorit 2024 dëshmojnë këto veprime.
F.M. dhe F.M. akuzohen edhe për kontrabandim mallrash duke deklaruar importin e sasive të mëdha të naftës në Kosovë përmes portit “Porto Romano” në Durrës. Në realitet, automjetet ngarkoheshin me vetëm 20% naftë, ndërsa pjesa tjetër shitej ilegalisht në Shqipëri. Kufirin kosovar e kalonin me automjete që kishin ndarje të fshehta me ujë për të shmangur kontrollet doganore.
F.M., F.M., K.V. dhe F.V. dyshohen se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, i drejtuar nga F.M., i cili ka organizuar dhe drejtuar kontrabandimin e mallrave për vite me radhë. D.M., A.M. dhe M.M. dyshohen po ashtu për pjesëmarrje në këtë grup. M.M. është përfshirë në transport dhe modifikim të mjeteve. D.M. si pronar i “Veda 2 Petrol SH.P.K” dhe A.M. si pronar i “Cini Oil SH.P.K”, që nga janari 2020, kanë importuar sasi të mëdha nafte nga “Porto Romano”, ku procesi i kontrabandës menaxhohej nga F.M.
Veprat penale dyshohet se janë kryer që nga janari 2020 dhe përfshijnë pastrimin e parave, kontrabandimin e mallrave dhe pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar.